Georgi Çerkin ka lindur në Sofje në vitin 1977 dhe mban emrin e gjyshit të tij – pianistit të famshëm Georgi Zllatev-Çerkin. “Mund të thuhet se tërë familja ime janë muzikantë – babai im merret me pop dhe xhaz. Unë jam trashëgimtar i violinistes së jashtëzakonshme Nedjallka Simeonova, e cila është motra e gjyshes sime. Kam shumë të afërm, të cilët gjithashtu janë lidhur me muzikën” – na tregon pianisti dhe shton se ka filluar të merret me muzikë nga kureshtja.
“Interesi im ndaj muzikës lindi që në moshën 5-6 vjeç. Njohja ime me veglën muzikore ndodhi në formën e lojës. Gradualisht fillova të njihem me tonet dhe akordet e ndryshme – thotë Georgi Çerkin – E gjithë kjo më bënte shumë të lumtur. Në moshën 7 vjeç u regjistrova në shkollën muzikore në kryeqytet, ku mësuesja ime e pianos ishte Antonina Boneva, u diplomova në akademinë “Santa Cecilia” në Itali. Atje mësova tek pedagogu i njohur Sergio Perticaroli. Më vonë specializova në Zalcburg të Austrisë te Karl-Heinz Kämmerling. Kam mësuar te muzikantë me famë botërore dhe jam shumë krenar për këtë.”
Georgi Çerkin është mbajtës i shumë çmimeve prestigjioze për kontributin e tij ndaj kulturës dhe artit bullgar – “Lira e kristaltë”, “Shekulli i artë” etj. Është laureat i një sërë konkursesh ndërkombëtare dhe kombëtare – “Alber Rusel”, “Talente të reja muzikore”, “Muzika dhe Toka”... Repertori i tij përfshin mbi 25 koncerte për piano. Interpretuesi virtuoz është bullgari i parë, i cili interpretoi në moshën 18 vjeç Koncertin e dytë për piano dhe orkestër të Rahmaninovit. Ka qenë solist i të gjitha orkestrave të njohura te ne dhe ka dhënë shumë recitale në Berlin, Bruksel, Nju Jork dhe në qytete të tjera.
“Mendoj se kam trashëguar gjenetikisht talentin e gjyshit tim. Për fat të keq ai ka vdekur dy muaj para lindjes sime dhe nuk kam kujtime për të. Kohët e fundit kam dëshirë të madhe për t’u marrë me kompozim dhe orkestrim” – thotë Georgi Çerkin. Ai është autor i orkestrimit të një sërë veprash të njohura për piano, ndër të cilat është “Stinët e vitit” vepër e Çajkovskit.
Po të klikoni mbi ikonën AUDIO do të dëgjoni interpretime të zgjedhura të Georgi Çerkinit
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Hite roku me tekste dhe mesazhe serioze me të cilat është rritur më shumë se një brez – kjo është ajo që gjejmë në albumin e ri të grupit "Faktor", të titulluar "Kundër Kohës". Dhe koha duket se po punon në favorin e tyre, dhe për më shumë se..
Konkursi i 8-të Ndërkombëtar i Violinës "Vasko Abaxhiev" do të mbahet në Sofje nga 20 deri më 23 nëntor me një interes rekord. Organizatorët nga Klubi i UNESCO-s "Leonardo da Vinci" - Sofje janë të kënaqur me 32 aplikimet e marra nga 14 vende,..
"Kështu është jeta" – kjo është motoja e koncertit më 19 nëntor, në të cilin kompozitori Stefan Dimitrov bashkon emra legjendarë si Bogdana Karadoçeva, Mihaill Bellçev, Vëllezërit Argirovi, Mimi Nikollova, Doni, së bashku me artistë të rinj, por..