Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2026 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kryengritja e Shtatorit – një faqe tragjike në historinë bullgare

Kryengritës të arrestuar në qytetin e Vracës, shtator 1923
Foto: arkiv

Më 23 shtator mbushen 90 vjet nga shpërthimi i Kryengritjes së Shtatorit – shprehje e mungesës së stabilitetit politik dhe e krizës së demokracisë në Bullgari pas Luftës së Parë Botërore.

Humbja e luftës çoi në forcimin e qëndrimeve të majta në vend. Në vitet 1920-1923 në pushtet ishte partia më madhe e majtë – Bashkimi Agrar Popullor Bullgar. Filluan disa reforma, por udhëheqja ishte lidhur me disa raste korrupsioni dhe autoritarizmi. Bashkimi Agrar Popullor Bullgar u gjend në izolim dhe u rrëzua me një komplot ushtarak më 9 qershor të vitit 1923. Pas komplotit kryeministër i Bullgarisë u bë Aleksandër Cankov. Në përgjigje të kësaj shpërtheu Kryengritja e Qershorit, e cila u shua shumë shpejt. Ajo nuk mori përkrahjen e Partisë Komuniste, e cila ruajti neutralitet.

“Në atë kohë, nga 12 deri më 23 qershor, në Moskë u zhvillua një plenum i Komitetit Ekzekutiv të Internacionalit Komunist – tregon historiani prof. Ljudmill Spasov. – Në këtë plenum taktika e Partisë Komuniste Bullgare ishte kritikuar shumë fort. Vasill Kollarov (i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Kominternit) u dërgua në Bullgari. Pas mbërritjes së tij, ai i dërgoi një telegram Moskës, ku ishte shënuar se situata në vend është e qetë, se komunistët e arrestuar rreth 9 qershorit, tashmë janë çliruar dhe se ka censurë, por nuk ka kushte për luftë revolucionare.”

Mirëpo reaksioni i Kominternit ishte i ashpër. Komunistët gjermanë deklaruan se proletariati në vendin e tyre është i gatshëm për të kryer një revolucion socialist. Në Moskë ishin të mendimit se ai do të çonte në revolucione të suksesshme në shtete të tjera evropiane. Dhe kjo ndikoi mbi ngjarjet e mëtejshme në Bullgari.

“Kominterni kishte një pozitë shumë të rreptë sa u përket komunistëve bullgarë, të cilët vazhdonin ta mbronin pozitën e tyre. Madje Georgi Dimitrov (i cili do të bëhej një figurë e shquar në lëvizjen komuniste ndërkombëtare) deklaroi se rrëzimi i qeverisë së Bashkimit Agrar Popullor Bullgar është një akt shumë progresiv – shpjegon prof. Spasov. – Kishte nevojë për ndërhyrje nga ana e Kominternit. Në fillim të gushtit në Bullgari u dërgua një agjent i Kominternit – Aleksandër Abramoviç – Çutev. Nën presionin e tij Vasill Kollarov ishte detyruar për ta ndryshuar pozitën e tij të parë. Motivet për këtë ishin së pari revolucioni i pritur në Gjermani, së dyti – bisedimet e filluara në Moskë midis Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase dhe qeverisë sovjetike dhe së treti gatishmëria e shprehur nga emigracioni i Bashkimit Agrar Popullor Bullgar për pjesëmarrje në një kryengritje gjatë muajit gusht për rrëzimin e qeverisë së Aleksandër Cankovit. Kështu, në fillim të gushtit, Partia Komuniste Bullgare filloi përgatitjen e një kryengritjeje.

Partia Komuniste Bullgare filloi bisedime me Organizatën e Brendshme Revolucionare Maqedonase. Lideri i saj Todor Aleksandrov vuri kushtin që të mos ngrihet kryengritje në Bullgarinë Jugperëndimore, në krahinën e Petriçit, sepse kjo do të çonte në ndërhyrje jugosllave. Ai deklaroi se në rast se ky kusht respektohet, është i gatshëm për të mirëmbajtur neutralitet. Si qendër e kryengritjes ishte zgjedhur Bullgaria Veriperëndimore, afër kufirit me Jugosllavinë. “Kjo ishte lidhur me revolucionin e planifikuar në Gjermani. Një krizë në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë, një kaos në Ballkan do të lehtësonte fitoren e revolucionit gjerman – sqaron prof. Spasovi. – Në Moskë vetëm Stalin kishte rezerva sa u përket mundësive revolucionare të proletariatit gjerman, por madje vetë ai ishte detyruar për të refuzuar vërejtjet e veta, duke pasur parasysh situatën revolucionare ndërkombëtare.”

© Foto: arkiv

Kryengritës në Mëglizh

Në këtë kontekst zhvilloheshin edhe ngjarjet në Bullgari. Agjentët e policisë të Aleksandër Cankovit mësuan për ndryshimin e pozitës së Partisë Komuniste Bullgare. Në fshatin Lopushna (Bullgari Verilindore) Cankov paralajmëroi fshatarët e grumbulluar për festën e manastirit vendas se po t’i përgjigjen propagandës së komunistëve do të mbyten në gjak. Më 12 dhe 13 shtator u arrestuan mbi 2500 komunistë. Në Mëglizh (Bullgari Jugore) kryengritja shpërtheu para afatit, më 13 shtator. Partia Komuniste Bullgare nuk zbatoi angazhimin e ndërmarrë para Todor Aleksandrovit. Në Gorna Xhumaja (qyteti i sotëm Bllagoevgrad) u përgatit një çetë. Kryengritja atje u shua me një ashpërsi të madhe nga veprimtarët e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase.

“Udhëheqja e kryengritjes u përqendrua në Ferdinand, qyteti i sotëm Montana, ku ishin Georgi Dimitrov, Vasill Kollarov, Gavrill Genov. Me rreth 2 mijë kryengritës Gavrill Genov pushtoi Bojçinovci – vazhdon tregimin e vet Ljudmill Spasov. – Mirëpo, më 18 shtator qeveria iu drejtua Fuqive të Mëdha, që të marrë lejë për mobilizim, duke shkelur në këtë mënyrë Traktatin e Neuilly (ky traktat i imponoi Bullgarisë kufizime të rënda pas Luftës së Parë Botërore). U mobilizuan rreth 3 mijë veta. Përveç kësaj u dërguan trupa të garnizoneve në Ruse, Pleven, Shumen. Kështu kryengritja në Bullgarinë Veriperëndimore u shtyp me një ashpërsi të madhe. Mbi 5 mijë veta u vranë, rreth 15 mijë të tjerë u arrestuan dhe u persekutuan, 2 mijë veta emigruan. Ndër emigrantët ishin dhe udhëheqësit e kryengritjes Georgi Dimitrov dhe Vasill Kollarov.”

Më vonë ata shkruan një letër të hapur, në të cilën shënohej se situata revolucionare në Bullgari po vazhdon dhe në fillim të vitit 1924 Komiteti i krijuar nga ata përtej kufirit do të shpallë një kurs të ri ndaj kryengritjes së armatosur. Së shpejti pas kryengritjes në Bullgari u zhvilluan zgjedhje. Parlamenti miratoi një ligj për mbrojtjen e shtetit. Me këtë ligj Partia Komuniste ishte vendosur jashtë ligjit. Ajo krijoi një organizatë ushtarake ilegale, e cila inicioi aksione terroriste. Qeveria e prof. Cankovit, e cila fitoi zgjedhjet me shumicë të madhe, udhëhiqte në mënyrë autoritare dhe jo një herë përdorte mjetet e terrorit. Sistemi demokratik në Bullgari ishte dëmtuar seriozisht për një periudhë të gjatë deri në vitin 1944, si dhe pas kësaj, kur në Bullgari hyri Ushtria Sovjetike dhe në vend u vendos regjimi prosovjetik.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Doktor Ivan Seliminiski – mik i Naum Veqilharxhit dhe i Shqipërisë

Doktori bullgar Ivan Seliminski (1799 – 1866) dhe shqiptari Naum Veqilharxhi (1797 – 1846) kanë një fat të përbashkët historik – të dy janë rilindës të shquar dhe luftëtarë për kulturën dhe lirinë kombëtare. Zgjedha e rëndë e robërisë i detyroi ata të..

botuar më 25-11-28 4.00.PD

Nëpër gjurmët e murgjve mesjetarë – fytyra e fshehtë e Manastirit Shkëmbor të Ivanovos

Lart në kanionin e lumit Rusenski Llom fshihet një nga qendrat shpirtërore më mbresëlënëse të Bullgarisë. Bëhet fjalë për një kompleks me dhjetëra qeli shkëmbore, kapela dhe kisha të gdhendura në të dy anët e lumit , të cilat u krijuan që në..

botuar më 25-11-23 8.55.PD

Gjeniu i ndërtimit romak merr jetë nën rrugët e Raciaria-s së lashtë

Disa ditë më parë, arkeologët zbuluan një pjesë të infrastrukturës komplekse nëntokësore që i shërbente banjave romake të Raciaria-s - një nga qytetet më të rëndësishme antike në Veriperëndimin bullgar, i cili u ngrit në shekullin e parë në zonën e..

botuar më 25-11-23 8.05.PD