Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Më shumë se një çerek milioni njerëz në Bullgari janë pa ujë – shkaqet dhe zgjidhjet e krizës

Protestë në Pleven për shkak të krizës së ujit
Foto: BGNES

Bullgaria, Bashkimi Evropian, shekulli XXI, viti 2025. Më shumë se 260 mijë njerëz në vendin tonë, në fund të muajit gusht, janë pa ujë ose përballen me kufizime të rënda në furnizimin me ujë. Shembulli më domethënës vjen nga qyteti i Plevenit (në Bullgarinë Veriore), ku mbi 100 mijë persona janë të prekur nga mungesa e ujit, por qyteti nuk është aspak i vetmi me këtë problem – sipas të dhënave nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Planifikimit të Territorit, në 85 nga gjithsej 266 bashki në vend ka vendbanime me probleme në furnizimin me ujë.

Problemi me mungesën e ujit u bë shkak, në mënyrë të kuptueshme, për protesta nga shoqëria civile në Pleven, si dhe për ndërprerjen e pushimeve të disa deputetëve, të cilët u mblodhën në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit Parlamentar për Mjedisin, për të shqyrtuar situatën.

Edhe ekzekutivi reagoi – kryeministri Rosen Zheljazkov fillimisht u dha institucioneve përgjegjëse një afat dyjavor për të përmirësuar koordinimin e tyre në zgjidhjen e krizës së ujit dhe “i dha karton të verdhë” prefektit të qarkut të Plevenit. Në mbledhjen e qeverisë më 27 gusht, ai shpalli se plani me masa për zgjidhjen e problemit të mungesës së ujit në qytetin e qarkut tashmë është gati. Plani u publikua më pas në faqen zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Rregullimit të Territorit, ku përfshihen 21 masa – afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Kolona e parë përfshin studimin dhe ndarjen në zona të rrjetit të ujit dhe kanalizimeve të qytetit; po kryhen shpime të reja, punohet për identifikimin e lidhjeve të paligjshme dhe do të zëvendësohen edhe tubacionet e ujësjellësit.

Plani afatmesëm parashikon rikonstruksionin e 6 stacioneve të pompimit, 12 depozitave të ujit, 6 kilometrave rrjet ujësjellësi dhe 234 lidhjeve të brendshme të ndërtesave me rrjetin, në kuadër të Programit Operacional “Mjedisi”.

Në planin afatgjatë do të punohet për ndërtimin e digës Çerni Osëm”.
Dhe meqenëse të gjitha këto masa kërkojnë kohë për t’u zbatuar, autoritetet premtojnë të sigurojnë cisterna me ujë për zonat më të prekura të qytetit dhe vendbanimet përreth në bashki.

Ku e ka rrënjën problemi që shfaqet për vitin e radhës dhe si mund të zgjidhet?

“Thelbi i problemit qëndron te ndryshimet klimatike dhe periudhat gjithnjë e më të gjata të thatësirës, të cilat na privojnë nga disa burime ujore që gjatë viteve kanë punuar pa ndërprerje - shpjegon inxhinieri Ivan Ivanov, kryetar i Shoqatës Bullgare të Ujit, dhe e konsideron “të papranueshme” shkallën e humbjeve të ujit në sistemet e furnizimit me ujë: - Mesatarisht në gjithë vendin ato arrijnë në 60%. Ne thjesht po e shpenzojmë këtë ujë! Një pjesë e tij përdoret nga persona që nuk janë regjistruar si konsumatorë dhe kjo shënohet si humbje.”

Ivan Ivanov

Inxhinieri Ivanov e formulon si detyrë kryesore të shtetit uljen e humbjeve në rrjet, por megjithatë shtoi:

“Edhe ulja e humbjeve nuk garanton që nuk do të ketë periudha kur do të na mungojë burimi i ujit. Duhet të kërkohen burime alternative të ujit, të krijohen furnizime alternative për qytetet e mëdha dhe ato jo aq të mëdha, kjo është një praktikë normale evropiane.”

Arsyeja për gjendjen e keqe të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në Pleven është më pragmatike – në vitet e kaluara, kusht për financim evropian ka qenë që në një rajon të ketë një operator të përqendruar të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Megjithëse Pleveni është një qytet qendror, kjo nuk ka qenë e plotësuar, pasi në një qytet tjetër të rajonit – Knezha – ka pasur një shoqëri të veçantë.

“Prandaj deri tani ata nuk kanë pasur mundësi të financohen me fonde evropiane - shpjegon inxhinieri Ivan Ivanov. – Në të njëjtën kohë, edhe shteti nuk jep kaq shumë para për komunat dhe prefektët e qarqeve që ata të mund të realizojnë projekte të mëdha. Prandaj, në Pleven, ndryshe nga qytetet e tjera qendrore të qarqeve, nuk janë bërë projekte të tilla. Por tani jemi në pragun për të bërë diçka. Por këtu qëndron pyetja pse në Knezha shkojnë shumica e 130 milionëve që janë parashikuar për t’u investuar përmes fondeve evropiane. Supozoj se ka edhe një vendim politik, nga këndvështrimi se në Knezha u pranua të heqin dorë nga operatori i tyre i ujësjellësit” - shpjegoi Ivanov rastin.

Disa janë zgjidhjet strategjike për ujin në Pleven, mendon inxhinieri Ivanov – ndërtimi i digës “Çerni Osëm” ose marrja e ujit nga lumi Danub.

Në të njëjtën kohë, po mendohet edhe për rikuperimin e digave jo funksionale në rajon, por sipas traditës, shpresa më e madhe mbetet të bjerë shi, që për vitin e radhës të zgjidhë të paktën përkohësisht problemin. Deri atëherë, banorët e Plevenit do të përdorin ujë rreth 6 orë në ditë.

Lexoni më shumë mbi temën:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES, BTA, Këshilli i Ministrave, Pixabay, Shoqata Bullgare e Ujit




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Këshilli Fiskal rekomandon të ndërmerren masa për kursime buxhetore

Duke pasur parasysh numrin në rënie të popullsisë në vend, Këshilli Fiskal rekomandon qeverisë të ndërmarrë masa për kursime në Buxhetin 2026. Masat janë: ulja e administratës komunale përmes bashkimit të komunave; optimizimi i numrit të policisë;..

botuar më 25-10-28 12.15.MD

Për shkak të aplikimit të euros, njerëzit po depozitojnë masivisht para në banka

Banka Popullore Bullgare raporton një rritje të mprehtë të depozitave të reja të familjeve. Veçanërisht i theksuar është rritja e depozitave në euro. Vetëm për një muaj janë depozituar në llogari me afat shuma me vlerë 334 milionë leva (mbi 161 milionë..

botuar më 25-10-28 9.38.PD

“Allianz Trade”: Bullgaria do të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropën Qendrore dhe Lindore

Rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë do të mbetet në një nivel prej mbi 3% në periudhën 2025-2027, parashikon siguruesi i kredive tregtare “Allianz Trade” në raportin e tij, raporton BTA. Kjo do të thotë që ekonomia bullgare do..

botuar më 25-10-22 2.56.MD