Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Mungesë kuorumi, tensione dhe “zjarr mik” – a është e qëndrueshme qeveria?

Foto: BTA

Java e kaluar rezultoi praktikisht javë pushimi për deputetët e Legjislaturës së 51-të të Kuvendit Popullor të Bullgarisë, pasi gjatë tre ditëve të rregullta për seanca plenare – të mërkurën, të enjten dhe të premten – kuorumi nuk u arrit asnjëherë.Të premten, për shembull, vetëm 111 deputetë u regjistruan në sallën plenare, ndërkohë që janë të nevojshëm të paktën 121 nga gjithsej 220 për të zhvilluar një seancë të vlefshme.Kryeministri Rosen Zheljazkov ndodhej për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, së bashku me një delegacion të konsiderueshëm parlamentar nga shumica qeverisëse. Këtë e shfrytëzoi opozita, e cila, ndonëse e pranishme në parlament, nuk u regjistrua në seancë, me argumentin se është detyrë e shumicës të sigurojë kuorumin.“Pushimi” i deputetëve erdhi pikërisht në një moment kritik, kur përpara tyre qëndron ndoshta detyra më e rëndësishme: hartimi i buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Stuhi politike në një gotë ujë

Këtë javë u bëmë dëshmitarë edhe të “zjarrit mik”, pasi për herë të parë u dëgjuan kritika të hapura nga Bojko Borisov ndaj bashkëpartiakut të tij dhe njëkohësisht kryeministër aktual, Rosen Zheljazkov, si dhe ndaj liderit të Lëvizjes DPS – Fillimi i Ri Deljan Pejevski. Kreu i forcës së parë parlamentare, GERB, kritikoi qeverinë dhe kryeministrin se nuk po arrijnë të përballojnë krizën e ujit, e cila po prek qindra mijëra qytetarë në vend. Si reagim pothuajse i menjëhershëm ndaj këtyre kritikave, disa ministra u dërguan në Pleven, qytetin më të prekur nga kriza, për të monitoruar situatën dhe për të dhënë zgjidhje urgjente. U kritikua edhe Deljan Pejevski, i cili e cilësoi veten si garant i kabinetit. Vijuan gjithashtu përplasjet e zakonshme mes qeverisë dhe partive që e mbështesin atë, nga njëra anë, dhe institucionit të Presidentit, nga ana tjetër. Rumen Radev kujtoi “paratë e zhdukura në thasë” për ndërtimin e Autostradës “Hemus” dhe pa një varësi nga lideri i DPS - Fillimi i Ri, Deljan Peevski, ndërsa lideri i GERB-it, Bojko Borisov, kundërshtoi me një pyetje për paratë e kontratës me “Botash”, e nënshkruar gjatë qeverive teknike të kreut të shtetit.

Tabloja politike në vend has pakënaqësinë e thellë të qytetarëve bullgarë

Sipas të dhënave sociologjike, parlamenti vazhdon të jetë institucioni me nivelin më të ulët të besimit publik – vetëm 15% e qytetarëve kanë një qëndrim pozitiv ndaj punës së tij. Qeveria gëzon mbështetjen e 23% të të anketuarve, ndërsa kundërshtarët e saj arrijnë në 66%, sipas një sondazhi të realizuar nga Agjencia "Trend", në periudhën 13–20 shtator, me porosi të gazetës “24 Çasa”. Qytetarët janë gjithashtu pesimistë për zhvillimin ekonomik të vendit: 38% presin përkeqësim gjatë vitit të ardhshëm, kur Bullgaria pritet të hyjë zyrtarisht në eurozonë.

Çfarë simptome tregon fakti që koalicioni zyrtar qeverisës – GERB-SDF, BSP dhe “Ka një popull të tillë”, i mbështetur nga DPS-Fillimi i Ri, nuk arrin të sigurojë punën e parlamentit?

“Edhe pse shumica qeverisëse arrin deri në 180 vota, mënyra si u zgjodh gjyqtari kushtetues dhe funksionarë të tjerë tregon qartë se brenda saj veprojnë forca centrifugale. Ajo që përbën aktualisht një problem për qeverinë është, para së gjithash, një vonesë në hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Kjo vonesë lidhet me disa ide – për shembull nga BSP-ja për ndryshime themelore në sistemin e taksave, përfshirë vendosjen e taksimit progresiv” - komentoi për Radio Bullgarinë ekonomisti doc. Krasen Stançev, themelues i Institutit për Ekonomi të Tregut dhe ish-deputet i Kuvendit të Madh Popullor në vitet 1990–1991.

Krasen Stançev

Sipas Stançevit, megjithatë, dallimet diametralisht të kundërta midis GERB-it dhe BSP-së mbarojnë pikërisht këtu.

“Ajo që përbën një emërues të përbashkët për të gjitha partitë në qeveri është: më shumë kontroll, më shumë ndërmarrje shtetërore dhe një rol më i madh i shtetit në ekonomi. Sa i përket gjyqësorit dhe prokurorisë, aty nuk varet asgjë prej tyre, përkundrazi – çdokush mund të bëhet peng i ndonjë veprimi, të themi, nga ana e prokurorisë” – thekson Stançev dhe shton se në nivel vendor ekzistojnë disa përplasje që “thithin” burimet komunale dhe nuk u lejojnë partive në parlament të zbatojnë decentralizimin fiskal.

Mungesa e kuorumit javën e kaluar është një ngjarje e rastësishme për shkak të “ekskursioneve” të shumicës së deputetëve, thekson nga ana e tij politologu Sllavi Vasilev, ish-këshilltar i presidentit Rumen Radev.

Sllavi Vasilev

“Koalicioni, në këtë fazë, është i qëndrueshëm – për keqardhjen e madhe të atyre që e konsiderojnë këtë shumicë të dëmshme për Bullgarinë.”

Por, sa do të zgjasë kjo qëndrueshmëri?

“Pres që pas hyrjes në fuqi të euros më 1 janar 2026, tabloja politike të jetë tashmë e ndryshme. Së pari, sepseBojko Borisov do të jetë stolisur me dëshirën e tij të zjarrtë për t’u mburrur me këtë “sukses të jashtëzakonshëm” – hyrjen e Bullgarisë në eurozonë. Kjo, megjithëse qytetarët nuk u pyetën dhe megjithëse ka shumë sinjale që tregojnë se pozicioni i arsyeshëm në këtë rast do të kishte qenë që Bullgaria të priste dhe të qëndronte në sistemin e bordit valutor derisa të shpërndaheshin retë mbi eurozonën – nëse ndonjëherë ndodh kjo fare. Por elita politike në vend ka kohë që ka ndaluar së marrë parasysh realitetin ekonomik apo qëndrimin e qytetarëve ndaj çështjeve të rëndësishme politike dhe ekonomike” - shtoi Vasilev.

Sipas Sllavi Vasilevit, qeveria nuk do ta përfundojë mandatin, por për momentin po mbahet relativisht e qëndrueshme – kryesisht sepse partitë aktuale ndihen të kërcënuara nga mundësia e një projekti të ri politik rreth presidentit aktual, që mund të sjellë një alternativë ndaj Borisovit dhe Peevskit – një skenar shumë i mundshëm.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, Pexels, Pixabay, BGNES




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Zheljazko Radukov

“Bullgaria nuk mund të jetë një justifikim për mungesën e reformave”, tha ambasadori Radukov në Shkup

Në Shkup po dëgjoj gjithnjë e më shumë shqetësime se marrëdhëniet me Bullgarinë po përdoren si një justifikim i përshtatshëm për mungesën e vullnetit ose aftësisë për të ndërmarrë reformat e nevojshme. Nuk dua ta besoj këtë, deklaroi ambasadori bullgar..

botuar më 25-11-19 12.16.MD

Gjykata Kushtetuese u shpreh për refuzimin e referendumit për euron

Kryetarja e Asamblesë Kombëtare nuk ka të drejtë të shprehet e vetme për një referendum kombëtar. Kjo u bë e qartë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me refuzimin e ish-Kryetares së Parlamentit Natalija Kisellova për të paraqitur për..

botuar më 25-11-18 5.36.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Italia heton pretendimet për "gjueti njerëzish" në Sarajevë në vitet 1990 Prokuroria në Milano ka nisur një hetim mbi të dhëna tronditëse për ‘safari snajperësh’ të organizuara në Bosnjë gjatë luftës në fillim të viteve ’90. Thuhet..

botuar më 25-11-14 7.55.MD