"Festivali Evropian i Muzikës" në Sofje ofron disa ngjarje të spikatura për adhuruesit e muzikës në serinë vjeshtore të edicionit të tij të 25-të. Nga mesi i tetorit deri më 2 dhjetor 2025, do të zhvillohen koncerte me programe interesante dhe interpretues të jashtëzakonshëm.
Festivali nis më 12 tetor në Sofia Live Club me koncertin e BSO (Bingo Symphony Orchestra) – një formacion prej gjashtë muzikantësh të njohur bullgarë, të bashkuar nga ideja për të eksploruar horizonte të reja në art. Në debutimin e tyre në festival, ata do të prezantojnë rikrijime dhe përpunime inovative klasike, xhaz dhe rok të kryeveprave muzikore ikonike. Themelues i formacionit është kitaristi Georgi Marinov, i njohur për prirjen e tij për eksperimentim dhe dashurinë për muzikën klasike dhe hitet filmike. Në grup marrin pjesë gjithashtu violinisti Orlin Cvetanov nga Ansambli i Muzikës së Dhomës“Sofijski solisti” (“Solistët e Sofjes”), violonçelistja Sofia Radillova nga Orkestra Simfonike e Radios Kombëtare Bullgare, bateristi Stefan Goranov, pianisti Mlladen Taskov dhe basisti Evden Dimitrov, i njohur për pjesëmarrjet e tij në projekte me emra të njohur të skenës muzikore bullgare si Ljubo Kirov, Orlin Pavllov, Maria Ilieva dhe Preja.

Më 13 tetor, në skenën e Klubit Qendror Ushtarak do të debutojë një ansambël mjaft interesant: duoja e instrumenteve goditëse Agleja Kaneva – Aleksandër Viçev. Të dy muzikantët, vetëm 17-vjeçarë, janë nxënës të Shkollës së Muzikës “Dobrin Petkov” në Plovdiv dhe tashmë laureatë të konkurseve prestigjioze, duke i mahnitur dëgjuesit me teknikën e tyre të jashtëzakonshme, harmoninë dhe energjinë që përcjellin në skenë.

Kulmi i vërtetë i festivalit pritet të jetë cikli “Koleksioni Stradivarius”, i cili paraqet mjeshtërinë më të lartë të ekzekutimit në violinë. Solistë në tre koncertet e kësaj serie do të jenë violinistët e shkëlqyer bullgarë Milla Georgieva, Lia Petrova dhe Svetlin Rusev. Në bashkëpunim me Orkestrën Cantus Firmus, ata do të ekzekutojnë në instrumentet e tyre të veçantë - kryevepra të artit të krijimit të veglave muzikore. Publiku do të ketë mundësinë të krahasojë tingullin e tri violinave unike të mjeshtrit të madh Antonio Stradivari, të mësojë fakte interesante nga historia e tyre dhe të kuptojë pse janë kaq të çmuara. Koncertet e Koleksionit “Stradivarius” do të zhvillohen në sallën “Bëllgaria”: më 28 tetor me soliste Milla Georgieva, më 17 nëntor me pjesëmarrjen e Lia Petrovës dhe më 2 dhjetor me violinistin e jashtëzakonshëm Svetlin Rusev.

“Festivali Evropian i Muzikës” mban etiketën Remarkable Arts Festival dhe realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Sofjes.
Redaktoi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Festivali Evropian i Muzikës
E vumë re Momçill Kosevin që gjatë njohjes sonë me grupin SoulBmoll, ku ai është kitarist, vokalist dhe autori kryesor i këngëve të tyre. Muzikantët e grupit janë të dashur jo vetëm për publikun, por edhe për një sërë yjesh vendas që bashkëpunojnë me..
Bullgaria do të marrë pjesë në konkursin prestigjioz të këngës “Evrovizion”, i cili në vitin 2026 do të shënojë edicionin e tij të 70-të. Rikthimi i vendit është pjesë e përpjekjeve të Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) për të promovuar kulturën dhe..
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva Foto: BNT - arkiv, Zdravko Petrov - BNR