Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Jeta e bullgarëve në Patagoni është një rrëfim për traditat dhe kujtesën e përbashkët

Cenka Genova: Nuk mund të jetoj në Argjentinë pa menduar për Bullgarinë

Foto: Facebook /Asociación Búlgara

Në Patagoninë argjentinase, në fundin e botës, qyteti Komodoro Rivadavia ruan historinë e kolonistëve bullgarë, pasardhësit e të cilëve edhe sot e kësaj dite e mbajnë Bullgarinë në zemrat e tyre. Ndër ta është Cenka Genova, me origjinë nga Trojani, e cila ka mbërritur në Argjentinë me familjen e saj që në fëmijëri, në vitin 1956. Jeta e saj është një shembull besnikërie si ndaj atdheut të ri – ku ajo përfundon studimet në mjekësi dhe ndërton një karrierë të suksesshme si mjeke kryesore në spitale shtetërore – ashtu edhe ndaj Bullgarisë së largët. Për Radio Bullgarinë, Cenka rrëfen se gjuha dhe zakonet familjare gjithmonë e kanë tërhequr drejt rrënjëve të saj.
Cenka Genova
“Gjithmonë flitej bullgarisht në shtëpi. Atëherë kishte shumë familje bullgare që ishin vendosur këtu. Kishim një zakon që të mblidheshim familjet që jemi larg nga shteti ynë, nga vendlindja jonë. Tani kanë mbetur vetëm pasardhësit – brezi i dytë ose i tretë i bullgarëve. Shumë pak janë bijtë dhe bijat e brezit të parë të kolonistëve bullgarë. Këtu, në Komodoro Rivadavia, nuk ka emigrantë të rinj që kanë ardhur pas rënies së komunizmit në Bullgari. Prandaj të gjithë janë nga vala e parë e emigracionit. Mendoj se vetëm unë kam mbetur si një bullgare e vërtetë, e lindur në Bullgari.”
Sot, kjo lidhje e gjallë ruhet përmes veprimtarisë së shoqatës kulturore bullgare “Kirill dhe Metodij”, e themeluar në vitin 1989. Ndër themeluesit është edhe babai i Cenkës. Shoqata është zemra e komunitetit – një vend ku edhe të rinjtë që nuk e njohin mirë gjuhën, përpiqen të hulumtojnë dhe ruajnë trashëgiminë e stërgjyshërve të tyre përmes muzikës, kërcimeve dhe traditave. “Ata madje kanë mësuar si përgatiten qofte bullgare, kebapçe (kërnace) apo lakra turshi me receta të ndryshme”, na shpjegon Cenka. Ajo vetë është pjesëmarrëse aktive në jetën e shoqatës dhe me kënaqësi rrëfen për iniciativat e saj:

“Ne në shoqatë kremtojmë më së shumti 3 Marsin, shpërndajmë verore për mysafirët e festimeve. Shpjegojmë për zakonin dhe traditën, nga vjen, çfarë kuptimi ka për ne data 3 mars, kush kanë qenë heronjtë tanë. Rrëfejmë pak edhe për historinë, sepse më parë Bullgaria nuk njihej shumë. Tani, vitet e fundit, ka rrjete sociale dhe mundësi më të mira për ta bërë të njohur vendin. Në vitet e fundit, shoqata jonë u bë pjesë e Federatës së Shoqatave të Huaja. Dhe ngjarja më kryesore është më 4 shtator – Dita e Emigrantëve, kur zgjidhet një mbretëreshë nga vajzat e të gjitha shoqatave në qytet.”
Ezekill Kintero dhe Erika Perales
Këtë vit, Bullgaria u përfaqësua denjësisht në festë nga ambasadorët e rinj kulturorë të shoqatës – Ezekill Kintero dhe Erika Perales – stërmbesë e bullgarëve, e cila drejton grupin e vallëzimeve popullore bullgare dhe merr pjesë në formacionin vokalo-instrumental “Orfeu”. Edhe vajza e Cenkës – Dona – ka qenë më parë udhëheqëse e grupit të vallëzimeve. 

Pavarësisht mijëra kilometrave që i ndajnë nga atdheu i largët, dashuria për Bullgarinë mbetet e pandryshuar dhe e fuqishme:

“Çfarë do të thotë Bullgaria për mua? Unë jam edhe bullgare, edhe argjentinase. Nuk mund të jem këtu në Argjentinë pa menduar për Bullgarinë. Ndërsa kur jam në Bullgari, ëndërroj për Argjentinën. Emigrantët kurrë nuk mund t’i shkëpusin plotësisht lidhjet me vendlindjen. Ne me të vërtetë krenohemi me këtë vend tonin, që duket i vogël – Bullgarinë. Ne njihemi si shteti më i vjetër në Evropë dhe kemi thesarin më të vjetër, i cili është zbuluar pranë Varnës. Dhe gjithashtu kemi qytetin më të vjetër – Plovdivin, që dikur quhej Filipopolis. Duhet të bëjmë çmos që Bullgaria të bëhet më e njohur dhe të dihet se sa shumë i ka dhënë botës,” – përfundon Cenka Genova.

Përgatiit në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: Shoqata Bullgare “Kirill dhe Metodij” – Komodoro Rivadavia, arkiv personal, Facebook / Asociación Búlgara "Kiril y Metodii"



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Krishtlindjet janë të mundura që në nëntor – Sofja në drita, pazare dhe atmosferë festive

Këtë vit Krishtlindja “mbërriti” në Sofje që në nëntor, me aromë të verës së ngrohtë, kanellës dhe magjisë festive. Radio Bullgaria ju rekomandon të vizitoni disa prej këndeve të Krishtlindjes në kryeqytet: Për më të paduruarit për të pritur..

botuar më 25-11-17 6.55.MD

Muzeu i parë i arit investues hap dyert në Plovdiv

Muzeu i parë i arit investues mirëpret në Plovdiv vizitorë që duan të mësojnë më shumë rreth historisë së parave dhe lidhjes së tyre me arin – nga lindja e arit, origjina e tij kozmike dhe rruga e tij deri në Tokë, deri tek mënyra se si ky metal i çmuar..

botuar më 25-11-16 8.20.PD

“Caritas” u zgjat dorën të varfërve, njerëzve të vuajtur dhe atyre në nevojë

Më 16 nëntor do të shënojmë Ditën e “Caritas” – organizatës bamirëse të Kishës Katolike, e cila përmes kujdesit dhe gjesteve të mëshirës mbjell shpresë në zemrat e atyre që kanë nevojë. Në këtë ditë do të kujtojmë se më e rëndësishmja nuk është pasuria..

botuar më 25-11-15 8.00.MD