Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare – “Kalimanku Denku” – një perlë në krijimtarinë e këngëtares Janka Rupkina dhe kompozitorit Krasimir Kjurkçijski

Janka Rupkina
Foto: BTA

“Çdo njeri beson ndryshe në Zot. Në forcën që ne e quajmë Zot” – thotë në një intervistë për gazetën “Trud” në vitin 2017 Janka Rupkina – një nga simbolet e kulturës muzikore bullgare. Dhe shton me sinqeritet: “Unë besoj. Çdo njeri duhet të besojë në diçka. Qoftë në një këngë, qoftë në një njeri, qoftë në një dru të thatë, që ti mendon se është i thatë, por ai ka shpirt – nuk ka rëndësi. Në të gjitha këngët e mia besoj, sepse ato më mbushin me tekstet e bukura dhe me meloditë e bukura, por mbi të gjitha besoj në “Kalimanku Denku”, sepse ajo më solli famë botërore.”

Këngëtarja legjendare nga rajoni i malit Stranxha lindi në fshatin Bogdanovo, në krahinën e Burgasit, më 15 gusht të vitit 1938, ditën kur festohet Fjetja e Shën Mërisë, një nga festat më të mëdha të kalendarit ortodoks, që ka një rëndësi të veçantë në traditën bullgare. Por, në vend që ta quajnë me emrin e Shën Mërisë, prindërit e saj i dhanë emrin e gjyshes nga ana e babait – Jana.

Më vonë, Janka Rupkina do të theksonte pothuajse në çdo intervistë se gjyshja e saj ka qenë “një këngëtare shumë e madhe dhe njeri me shpirt të pasur” dhe se nuk mund ta harrojë “zërin e saj prej mjalti.”

Mezi gjashtëvjeçare, ajo filloi të këndonte këngët e para, të mësuara nga gjyshja Jana. Të gjithë në familjen e saj të madhe ishin muzikantë: babai i saj, hallat, të afërmit nga ana e nënës. Por, duke qenë se ishin të zhvendosur nga Trakia, në qendër të malit Stranxha mbanin kostumet dhe këndonin këngët e krahinës së Trakisë. Kur Janka u martua me Georgi Rupkin nga fshati Gabër, aty dëgjoi këngët e para të krahinës së Stranxhës, mes të cilave ishte “Kalimanku Denku, moj e bukur”. Sot, repertori i saj mbresëlënës i krahinës së Stranxhës numëron mbi 250 regjistrime për fondin e Radios Kombëtare Bullgare. Por “Kalimanku Denku” – në interpretimin solo ose në përpunimin e mrekullueshëm me kor nga Krasimir Kjurkçijski – mbetet kartëvizita e saj. Pas Janka Rupkinës, pak këngëtarë guxuan të prekin këtë kryevepër folklorike, dhe të gjithë e pranojnë interpretimin e saj si të papërsëritshëm.

“Këtë këngë më e tregoi një kushëri i bashkëshortit tim – kujton Rupkina. – Emri i tij është Stoju Stoev. Na vizitoi shumë vite më parë, që në fillim të karrierës sime. Ai gjithashtu ishte nga fshati Gabër dhe më dha këtë këngë, për të cilën i jam shumë mirënjohëse, edhe pse tashmë ndërroi jetë, qoftë shpirti i tij në paqe… Teksti i saj është shumë interesant, sepse në vendin tonë, kur dy të rinj martohen, ata bëhen si familje me kumbarët. Dhe nuk është e drejtë që fëmijët e këtyre dy familjeve të martohen mes tyre… Dhe pikërisht për këtë flitet në këtë këngë.” Djali i thotë vajzës: “Kalimanku”, që do të thotë: “Oj Ndrikull, të pëlqej shumë dhe dua të martohem me ty”. Por vajza i përgjigjet: “Nuk mundet, nun, sepse ne tashmë jemi të afërm”. Megjithatë, ai i thotë se nuk e intereson këtë, sepse e do dhe është i tharë nga dashuria dhe është bërë “pemë e thatë arrash” – e sqaron tekstin këngëtarja.

Kalimanka në dialektin e Stranxhës do të thotë nun. Zakoni, sipas të cilit, kur një familje bën kumbari i të sapomartuarve, ata bëhen të afërm, dhe fëmijëve të tyre u ndalohet të bien në dashuri dhe të martohen me njeri tjetrin, ende respektohet nga familjet bullgare në malet Stranxha dhe Rodopet, të cilat nderojnë traditat e vjetra.”

Stojanka Boneva, Eva Georgieva dhe Janka Rupkina

Një nga solistet më të dashura të “Misterit të zërave bullgarë”, që ka kënduar me yje botërorë si Kate Bush dhe Linda Ronstadt, pjesë e trios triumfale “Bëllgarka”, Janka Rupkina ka pasur shumë momente të ndritshme në karrierën e saj, por ndër kujtimet më të paharrueshme është takimi me George Harrison. Pas një koncerti të trios në Londër, ai e ftoi Jankën dhe koleget e saj në shtëpinë e vet dhe u kërkoi të këndonin për një të afërme të tij – një këngëtare të sëmurë, për të cilën kujdesej familja e tij. “Ajo më kërkoi t’i këndoja “Kalimanku Denku”, dhe unë këndova me lot në sy, e përkulur pranë saj. Atëherë Harrison më dhuroi një nga disqet e tij me një autograf të shtypur posaçërisht për mua: “Për këngëtaren më të madhe të planetit, Janka Rupkina – me shumë dashuri”.”

Me këngën “Kalimanku Denku”, në përpunimin e papërsëritshëm të kompozitorit Krasimir Kjurkçijski, e madhja Janka Rupkina u bë pjesë e albumit të parë legjendar të serisë “Misteri i zërave bullgarë”.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, arkiv, Facebook/ Yanka Rupkina (Zyrtare), arkiv personal




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Opera botërore pret një rekord të ri nga bullgarja Sonja Jonçeva

Më 24 nëntor Sonja Jon[eva për herë të radhës debutoi shkëlqyeshëm në skenën e Metropolitan Operas në Nju Jork. Ajo tashmë e ka interpretuar rolin e Maddalena nga “André Chénier” i Umberto Giordanos në La Scala të Milanos në vitin 2023 dhe në Operën..

botuar më 25-11-27 8.20.MD

Veselin Marinov me katër koncerte radhazi para publikut në Sofje

Adhuruesit e muzikës pop dhe pranisë ekspresive skenike me siguri mezi presin takimin para Krishtlindjeve me Veselin Marinov. Tashmë është një traditë e gjatë që këngëtari të japë një koncert në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NDK) para festave të..

botuar më 25-11-25 8.10.PD
Kuadër nga filmi “Djali po largohet”

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare: Kënga “Njerëz dhe rrugë” nga filmi i paharrueshëm “Djali po largohet”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova Foto: bc-bg.com, архив, Facebook/ Podkasti “Filmoteko”

botuar më 25-11-21 6.55.PD